Me skuadrat shqiptare që kanë nisur përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit, Federata Shqiptare e Futbollit ka sanksionuar se viti i ri futbollistik në vend do të nisë me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

Kampionati Europian “Francë 2016″, që zhvillohet verën e ardhshme, dhe ku do të jenë dhe kuqezinjtë e De Biasit ka bërë që FSHF të rishikojë programin e edicionit të 64-tërt të Kupës, duke afruar ndeshjet e çerekfinaleve të para që fillimisht ishin programuar në 3 dhe 7 Shkurt në datën 23 Janar. Ngjeshja e kalendarit bëhet me qëllimin që edicioni futbollistik të përfundojë më herët nga sa ishte menduar për të lënë hapësirën e nevojshme para fillimit të Europianit që starton në 10 qershor.

Kështu 2016-ta për klubet shqiptare të Superiores për sa i përket ndeshjeve zyrtare nis me çerekfinalet e Kupës, ku në grupin A përballen Vllaznia-Skënderbeu dhe Laçi-Partizani, ndërsa në grupin B Teuta-Kukësi dhe Flamurtari-Tirana.

Për sa i përket Kategorisë Superiore, kampionati do të rinisë në fund të Janarit më saktësisht në datën 30 me javën e 19-të, periudhë kur do të jenë kryer dhe përforcimet e dimrit me skuadrat që do të jenë rikonfiguruar për realizimin e objektivave në pjesën e mbetur të sezonit.