12 mars 2015 – Sulmuesi i Paris Saint-Germain-it, Zlatan Ibrahimoviç ka kritikuar lojtarët e Chelsea-t për reagimin e tyre për ndërhyrjen ndaj Oscar-it, për të cilën suedezi u ndëshkua me kartonin e kuq. 

"Kur pashë kartonin e kuq, mbeta i shtangur. Nuk e di se çfarë e shtyu gjyqtarin e ndeshjes të merrte atë vendim, ndoshta ai pa diçka tjetër. Por reagimi i lojtarëve të Chelsea-s ishte vërtet i turpshëm. Menjëherë pasi unë mora kartonin e kuq ata rrethuan arbitrin dhe nuk e di se ç’kërkonin. Mu duk sikur kisha rreth meje 11 fëmijë dhe u tërhoqa duke u larguar", ka thënë sulmuesi suedez. 

Ai e la ekipin e tij me 10 lojtarë pas ndërhyrjes ndaj Oscar-it, të cilin gjyqtari e vlerësoi si të ndëshkueshëm me kartonin e kuq, megjithëse ishte e diskutueshme.
Megjithatë, për Ibrahimoviç-in i rëndësishëm ishte kualifikimi, për të cilën ai vlerëson maksimalisht shokët e tij.

"Ishte një paraqitje e mahnitshme, sepse ne luajtëm me një lojtar më pak, madje edhe përtej 90 minutave. Ata luajtën me zemër dhe treguan cilësi të mëdha", përfundon Ibrahimoviç. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/