Një lajm i papritur ka ardhur sot nga Gjermania, ku ylli i Borusia Dortmund dhe Gjermanisë, Niklas Zyle, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur në fundin këtij sezoni, ndonëse vetëm në moshën 30-vjeçare. Mbrojtësi gjerman përmendi problemet e tij të vazhdueshme fizike si arsyen kryesore. Qendërmbrojtësi i Borusia Dortmund shpjegoi se si lëndimet patën një ndikim vendimtar në vendimin e tij. Gjatë gjithë karrierës së tij, Zyle është dashur të përballet me një seri të gjatë pengesash, përfshirë dy këputje serioze të ligamentit dhe një total prej mbi 130 ndeshjesh të humbura për klubin dhe kombëtaren, gjë që ka penalizuar karrierën e tij në nivelin më të lartë.
Mbrojtësi shpjegoi gjithashtu momentin më të fundit që përshpejtoi vendimin e tij, të lidhur me problemin në gju që pësoi kundër Hofenhajm. “Ajo që ndjeva kur mjeku i ekipit kreu testin në dhomën e zhveshjes, shikoi fizioterapistin dhe tundi kokën… Shkova në dush dhe qava për dhjetë minuta. Në atë moment, mendova vërtet: ‘Është këputur përsëri’”.
Më pas ai shtoi se si frika nga një dëmtim i ri serioz ndryshoi gjithçka. “Kur të nesërmen bëra rezonancën magnetike dhe mora lajmin e mirë se nuk ishte një ligament, ishte 100% e qartë për mua se kishte mbaruar. Nuk mund të imagjinoja asgjë më të keqe sesa të filloja përsëri me një tjetër dëmtim të ligamentit kroçiat. Nuk mund ta imagjinoja të kaloja nëpër të njëjtin proces për herë të tretë, midis rehabilitimit dhe muajve jashtë fushës, ndërsa jeta vazhdon pa ty”, tha lojtari i cili ka luajtur në nivelet më të larta edhe me Bajern Mynih, me të cilin fitoi edhe Ligën e Kampioneve.





