Në Iran, një përqafim publik me një person të seksit tjetër pa lidhje familjare mund të sjellë pasoja të rënda, pavarësisht nëse je qytetar i zakonshëm apo një sportist i njohur. Kësaj here, në qendër të polemikave është mbrojtësi i njohur i kombëtares iraniane dhe lojtar i Esteghlalit të Teheranit, Ramin Rezaeian. Në një video që qarkulloi gjerësisht në rrjetet sociale, 34-vjeçari u filmua duke pranuar një përqafim nga një tifoze që kishte hipur në autobusin e ekipit. Për fat, tifozja mbante hijabin, duke shmangur kështu një ndëshkim edhe më të rëndë. Komiteti Etik i Federatës së Futbollit të Iranit e thirri lojtarin për të dhënë shpjegime dhe më pas e ndëshkoi atë me një gjobë prej 510 milionë rialësh (afro 12 mijë euro). Episodi ndodhi më 26 dhjetor, përpara një ndeshjeje të Esteghlalit kundër Chadormalut, që përfundoi në barazim 0-0.
Në Republikën Islamike të Iranit, kontaktet publike midis burrave dhe grave jashtë lidhjeve familjare janë ende të ndaluara. Gratë iraniane për dekada të tëra nuk lejoheshin të hynin në stadiume deri në vitin 2019, kur FIFA ndërhyri pas vetëflijimit të Sahar Khodayari, një vajzë e re që tentoi të hynte në stadium e maskuar si burrë. Pas këtij incidenti, një numër i kufizuar grash filluan të lejoheshin në ndeshje futbolli, por të drejtat e tyre mbeten ende shumë të kufizuara. Në një vend ku një gjest njerëzor si një përqafim mund të konsiderohet krim, ndëshkimi i Ramin Rezaeian është një tjetër dëshmi e realitetit të ashpër me të cilin përballen njerëzit, sidomos gratë, në Iran.