Youcef Atal është dënuar nga tribunali penal i Nices me 8 muaj burgim dhe është gjobitur me 45 mijë euro. Mbrojtësi i djathtë i skuadrës së drejtuar nga trajneri Farioli është shpallur fajtor për “nxitje të urrejtjes me motive fetare” pasi e kishte shpërndarë një video e cila bënte thirrje për “një ditë të zezë për hebrenjtë”, me një prapavi të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Ai madje duhet të paguajë edhe për publikimin e dënimit në “Nice-Matin” e “Le Monde”. Sipas mediumit “RMC Sport”, vendimi i gjykatës madje ishte i butë në krahasim me ato që parashikonin kërkesat për dënim. Atal aktualisht është i grumbulluar me Kombëtaren e Algjerisë, me të cilën do të luajë në Kupën e Afrikës, por ishte edhe në kohën kur e kishte shpërndarë videon e predikuesit Mahmoud në Instagram, ku e posedon një llogari të ndjekur nga më shumë se 3 milionë persona.