Mateo Pablo Musacchio, i datëlindjes 26 gusht 1990, aktualisht një nga mbrojtësit e qendrës së Villareal-it në La Liga, është dhe një nga futbollistët më në zë në Europë. I aktivizuar prej disa vitesh me “nëndetësen” verdhëkuqe, futbollisti ndodhet në prag të skadencës së kontratës së tij dhe aktualisht është në kërkim të një ekipi të ri. Meqë kemi të bëjmë më një futbollist cilësor dhe të sponsorizuar për të ardhmen e tij, kërkesat rreth tij janë radhitur në një listë të gjatë.

Sipas informacioneve të mbledhura nga “Sport ekpress”, një ndër pretendentet kryesore për mbrojtësin italo-argjentinas është Lazio. Sipas lazionews24.com, drejtori sportiv, Igli Tare, ka pasur kontaktet e para me futbollistin për ta bindur atë që sezonin e ardhshëm të zgjedhë ekipin bardhekaltër. Oferta për futbollistin ka shkuar në stafin e tij manaxherial tani i takon atij të vendosë për të ardhmen e vet.

Ajo që të habit më shumë dhe që është një fakt i padëgjuar më parë. Matteo Pablo Musacchio është italo-argjentinas, por origjina e tij është shqiptare, më saktë arbëreshe. Stërgjyshërit e futbollistit ishin arbëreshë dhe historia na ka mësuar se gjatë pushtimit osman, ata u larguan drejt Italisë. Ndoshta në pamje të parë mbiemri apo emri i futbollistit nuk të sjellin asgjë ndër mend që mund të lidhet si me arbëreshët si me Shqipërinë, por mbiemri i tij është në një lloj forme i “italianizuar” dhe sipas informacioneve të mbledhura, Musacchio është versioni italian i mbiemrit që ka mbajtur një nga familjet më të famshme dhe me traditë shqiptare, familja e Muzakajve.