Ganezi Muhamed Anas shënoi dy gola për Free State Stars në barazimin 2-2 me Ajax të Cape Town në Superligën e Afrikës së Jugut duke u shpallur dhe njeriu i ndeshjes, por kjo në fakt rezultoi një telash i madh për të, pasi futbollisti nuk i mati mirë fjalët përpara kamerave, duke falenderuar njëkohësisht bashkëshortën dhe të dashurën.

“Gjithmonë kam dashur të fitoj një trofe të tillë dhe më në fund ja dola. Ju falenderoj shumë dhe falenderoj dhe tifozët, bashkëshorten time dhe të dashurën. Doja të thoja bashkëshorten, më vjen keq, më vjen keq…por vetëm bashkëshorten. Të dua shumë, të dua shumë me gjithë zemër ndaj të lutem vazhdo të më mbështesësh dhe të falenderoj që ishe e pranishme në ndeshje. Na nevojiteshin këto 3 pikë për shkak të renditjes. Fakti që morën pikë në transfertë është dicka e mirë për ne dhe tani të përpiqemi në ndeshjet në vazhdim”. Nuk dihet se ç’fat pati Anas kur u përball me bashkëshorten, por një ditë më vonë sërish kërkoi të justifikohej duke theksuar se donte të falenderonte vajzën e tij dhe jo të dashurën.