Situata e disa prej lojtarëve të Kombëtares nuk është aspak pozitive. Si të mos mjaftonte çështja “Mavraj”, me të cilin Hamburg tregoi moskorrektësi dhe u soll keq, është përsëritur edhe me një tjetër mbrojtës. Hysen Memolla përjashtohet nga Hajduk Split, me të cilin ka edhe një vit kontratë.

Trajneri dhe Drejtori Sportiv i Hajduk Splitit kishin menduar një zgjidhje për kontratat e tre futbollistëve, mes të cilëve edhe për Memollën. Duke qenë ende nën kontratë, por jashtë planeve teknike, drejtuesit kanë kërkuar që lojtarët të pranonin largimin. Mirëpo, të tre lojtarët nuk e kanë bërë diçka të tillë. Kjo ka bërë që stafi drejtues i klubit kroat të marrë një vendim ekstrem: përjashtimin dhe dërgimin e të treve te Hajduk B.

Për Hysen Memollën, Marko Futaks dhe Zoran Niziç është vendosur që të dërgohen në skuadrën e Hajdukut B, si dhe që të mos lejohen të futen në dhomat e zhveshjes me skuadrën A apo që të mos lejohen të jenë as në stadium kur ekipi kryen seancat stërvitore. Një masë ekstreme e konfirmuar edhe nga presidenti i klubit.

Momentalisht, Kombëtarja shqiptare ka një situatë aspak të mirë sa i përket lojtarëve të dëmtuar si dhe atyre që janë pa ekip. Krahas Memollës, i cili nuk ka kryer fazë përgatitore me ekipin, edhe Arlind Ajeti, Mërgim Mavraj dhe Naser Aliji janë praktikisht pa skuadër. Një situatë alarmante në prag të Ligës së Kombeve.