Aldrin Dalipi, kryetar i Këshillit të Qarkut Tiranë në emisionin “Log.” në Panorama TV tregoi se përse mazhoranca ka zgjedhur që të bëjë një fushatë ndryshe për zgjedhjet e 14 majit.
Sipas tij, këto janë zgjedhje lokale dhe jo politike, ndaj ajo që kanë zgjedhur për të bërë fushatë është një simbolikë që i orienton qytetarët drejt përfaqësimit të interesave të komuniteteve.
“Ne mendojmë se koha kalon dhe qasja e qytetarëve është më ndryshe nga qeverisja vendore. Ne jemi duke ushtruar mandatin tonë edhe në mungesë të opozitës.
Duke qenë zgjedhje për komunitetin mendojmë se ishte një simbol që një pjesë e buxhetit që u mor nga KQZ të shkonte për mbjellje pemësh.
Nuk janë zgjedhje politik, siç janë parlamentaret ndaj mendoj se është një simbolike që orienton qytetarët dhe politikën drejt përfaqësimit të interesave të komuniteteve në këshillin bashkiak apo edhe në punën e bashkive”, u shpreh Dalipi.
Dalipi po ashtu ironizoi fushatën elektorale të Belind Këlliçit, duke thënë se simbolika e tyre ishte bllokimi i pedonales me parkime dhe futja e autobusit në stadium.
“Po të shohim kundërshtarët politikë bëjnë një fushatë të fokusuar tek si e morën partinë, e morën tek Arena dhe duhet të shkojnë prapë atje për të mbajtur gjallë simbolikën e partisë në përçarjen që kanë.
Nëse e ndoqët fjalën e udhëheqësit të tyre, e patë që stadiumi ishte bosh. Ata që ishin aty e humbën durimin.
Qytetarët nuk kanë nge të dëgjojnë si e morën partinë. Por kanë nevoja për gjëra që lidhen thellësisht me ta. Futja e autobusit në stadium?!!
Më falni, futet autobusi në fushën e futbollistëve? Kjo është simbolika?! Kjo gjëja ishte katastrofë! E patë pedonalen para stadiumit u zunë nga parkimet e këtyre. Shkuan dhe parkuan në zonën pedonale tek sheshi Italia. Parkuan si u desh qejfi, pa leje pa gjë. E kupton ku kanë mbetur këta në fushatat e tyre?
Kanë braktisur qytetarët 4 vjet dhe pastaj thonë Erion Veliaj. Veliaj ka qenë kryetar bashkie kur kaluam pandeminë dhe është cdo ditë në kontakt me qytetarët”, tha ndër të tjera Dalipi.