TIRANE –  Dy shtetas italianë kanë rënë pre e grabitësve, teksa ndodheshin brenda shtëpisë së tyre, të marrë me qira në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë. Autorë të ngjarjes dyshohet të jenë tre persona, ende të paidentifikuar nga Policia, ndërsa të dëmtuarit janë shtetasit e huaj Xhino Cecci, 63 vjeç dhe Klaudio Peruçi, 57 vjeç, të cilët prej muajsh merreshin me tregti në kryeqytet. Ata kanë denoncuar ngjarjen dy ditë më parë, në zyrën e Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë në Policinë e Tiranës, ku kanë treguar rrethanat e ngjarjes, madje duke pretenduar se autorët përveçse i kanë grabitur, i kanë kërcënuar me armë dhe dhunuar fizikisht.

Të frikësuar nga një pistoletë e drejtuar në fytyrë, asnjëri prej tyre nuk ka guxuar të bëjë rezistencë e aq më pak të lajmërojë Policinë, derisa grabitësit janë larguar nga apartamenti. Ndërsa kanë shpjeguar se në momentin që ndodhi ngjarja, nuk kanë pasur shumë para në shtëpi, përveç 700 eurove që autorët i kanë vjedhur, bashkë me celularët e tyre, karta krediti e debiti, si dhe disa dokumente. Tregtarët italianë kanë deklaruar në Policinë e Tiranës se nuk kanë arritur të shohin fytyrat e autorëve, pasi kanë qenë të maskuar. Madje, ata janë përballur vetëm me 2 prej tyre, pasi i treti nuk është futur brenda, por bisedonte vazhdimisht me bashkëpunëtorët e tij, gjatë kohës që qëndronte te dera e jashtme e apartamentit. Mbrëmjen e së premtes, tregtarët italianë Xhino Cecci dhe Klaudio Peruçi kishin vetëm pak minuta që ishin kthyer në shtëpi, pasi kishin ngrënë darkë.

Dikush ka trokitur në derën e apartamentit të tyre dhe Cecci nuk ka hezituar që ta hapte, duke menduar se ishte personi që u kishte dhënë shtëpinë me qira, i cili quhet Eno Nisha. Por, sapo ka hapur derën e shtëpisë, ai është përballur me një pistoletë të drejtuar në fytyrë dhe i frikësuar ka bërë disa hapa pas. Miku i tij që ndodhej brenda është përballur i dyti me grabitësit, madje njëri nga ata nuk ka ngurruar që ta godiste me grushte e shkelma. Në një kohë që njëri nga autorët qëndronte te dera e apartamentit, për të mbajtur nën kontroll situatën, tjetri kishte ulur në divan dy italianët dhe i kërcënonte me pistoletë, grabitësi i tretë ka kthyer përmbys shtëpinë për të gjetur se çfarë mund të vidhte. Pasi ka kontrolluar në të gjitha mobiliet, në xhepat e rrobave që tregtarët e huaj kishin veshur dhe në çantat e tyre, ata janë larguar vetëm pasi kanë marrë rreth 700 euro, celularët e tyre, si dhe kartat e kreditit. Policia ka nisur hetimin për ngjarjen, por autorët ende nuk janë identifikuar.