Belgjika futet për herë të dytë në karantinë për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus. Kryeministri belg Alexander De Croo në një deklaratë për mediat njoftoi një bllokim kombëtar të “përforcuar”. Sipas mediave të huaja që nga e hëna, bizneset që nuk janë thelbësore do të mbyllen dhe punonjësit duhet të vijojnë punën nga shtëpia kur është e mundur. Pushimet shkollore në vend do të zgjaten.
“Ne morëm vendimin për një bllokim të përforcuar. Këto janë masat e shansit të fundit.”– tha ai.
Në një konferencë për shtyp, De Croo tha se vizitat në shtëpitë e familjes dhe miqve nuk do të lejohen më. ndërkohë personat që jetojnë vetëm do të lejohen të kenë kontakte të ngushta me dy persona nga jashtë shtëpisë së tyre.
Të gjitha shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri më 15 nëntor. Shkollat e mesme në vitet e dyta dhe të treta do të sigurojnë mësim në distancë. Funeralet mund të bëhen me deri në 15 persona.
Që prej fillimit të pandemisë deri më tani në Belgjikë janë shënuar 392,258 të infektuar dhe 11,308 të vdekur si pasojë e COVID-19.