29 nëntor 2013- Komisioneri për Zgjerim Shtefan Fyle bën përpjekjen e tij të radhës duke i nisur një letër të gjatë 27 vendeve anëtare të BE-së, ku i kërkon të votojnë pro rekomandimit të Komisionit Evropian, që Shqipëria në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të marrë statusin e vendit kandidat. Në letër, Komisioneri për Zgjerimin i bën një skaner të hollësishëm zhvillimeve integruese, duke theksuar se në progresraportin e fundit, Shqipëria ka arritur standardet e vendosura në vitin 2012 të domosdoshme për marrjen e statusit.
"Dëshiroj t'ju informoj për zhvillimet më të fundit në Shqipëri, posaçërisht në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, sikurse dëshiroj të ndaj me ju pikëpamjet e mia për këto zhvillime përpara mbledhjes së dhjetorit të Këshillit të Ministrave, ku do të merret vendimi për rekomandimin e Komisionit Evropian. Në 12 Nëntor Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama lancoi dialogun e nivelit të lartë që lidhet me prioritet kyçe, me qëllim ndihmën e mëtejshme për ta shtuar fokusin dhe koncensusin në integrimin evropian. Ky takim ishte një eveniment për t'i bërë një inventar e rezultateve të para të arritura nga Qeveria e re dhe autoritetet dhe planeve të mëtejshme, që lidhen me reformat e kërkuara nga BE-ja.
Që kur Qeveria e udhëhequr prej Kryeministrit Edi Rama mori detyrën në shtator ka patur një vendosshmëri të qartë në rritjen e Qeverisjes, zbatimit të shtetit ligjor këto të lidhura me reformat. Mes masave të para të ndërmarra në luftën ndaj korrupsionit është emërimi një koordinatori në rang kombëtar për antikorrupsionin, i cili do të përmirësojë ndërveprimin institucional për këtë çështje. Një tjetër hap lidhet me mandatin e komisionerit që pritet të konfirmohet nga Qeveria në ditët në vijim. Sakaq Komisioneri është përfshirë në hartimin e projektligjit për strategjinë e antikorrupsionit që pritet të përfundojë në dhjetor.
Duke pasur shansin të kem bisedime me Qeverinë dhe opozitën,unë jam i bindur se Shqipëria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në forcimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike gjithashtu duke u angazhuar në mënyrë të gjithanshme në kryerjen e reformave. Qartësisht në dy muajt e fundit, Shqipëria ka forcuar pozitat e saj në marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit, Këshilli do të dërgojë një sinjal të fortë tek populli shqiptar, njëkohësisht duke shërbyer si një konsolidim në përfshirjen evropiane të vendit. Kjo do të ndihmojë Qeverinë dhe opozitën në shtimin e promovimit të kulturës demokratike mbi të gjitha gjithëpërfshirjes duke prodhuar më shumë reforma. Shpresoj se elementët e mësipërm do të ndihmojnë për një dialog të frytshëm në ditët në vijim", shkruan Fyle në letër.





