LUKSEMBURG, 23 prill 2013- Në Luksemburg është mbledhur sot në mesditë Këshilli i Stabilizim-Associimit, që po diskuton për Shqipërinë. 

Komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle theksoi se vendi duhet te vijojë me axhendën e reformave të kërkuara, ndërkohë që ka shtuar se BE pret progres nga Shqipëria lidhur me procesin zgjedhor. 

“BE pret progres përsa i përket procesit zgjedhor. Do dërgojmë ekipe vëzhguesish për zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Fyle. 

E pranishme në këtë takim, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, theksoi se qeveria është e angazhuar për plotësimin e detyrimeve. “Do t’i përmbushim të gjitha detyrimet, përfshirë luftën kundër korrupsionit”,- ka thënë ajo. Bregu kujtoi se këtë detyrim nuk e kanë vetëm vendet aspirante për kanditate, por edhe ato qe janë tashmë pjesë e BE. 

Ajo theksoi se dihet tashmë pse nuk u votuan tre ligjet e integrimit, duke kujtuar bllokimin e bërë nga opozita. 
"Rekomandimi u kushtëzua me votimin e tre ligjeve, pjesa më e madhe e kushteve për statusin janë përmbushur, mëkat që bashkëpunimi qeveri-opozitë u ndërpre", u shpreh ajo. 

Në këtë takim pritet që vendet anëtare të shprehin mes te tjerash edhe qëndrimin e përbashkët për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. 
Pritet qe vendet anetare te këmbëngulin në plotësimin e axhendës së reformave të Shqipërisë në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.