TIRANE – Pak ditë përpara vizitës së tij në Tiranë, Eurokomisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle ka komentuar në profilin e tij në rrjetin social “Twitter” rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri, duke nënvizuar se pavarësisht zgjedhjeve të mira, vendi ynë duhet të zgjidhë çështjet kritike, që kanë të bëjnë me kulturën e kompromisit.
“Zgjedhjet janë të rëndësishme, por nuk zgjidhin çështje kritike: si mungesën e kulturës së kompromisit dhe mungesën e përfshirjes.”- shkruan Fyle në “Twitter” në gjuhën angleze dhe në shqip.
Komisioneri për Zgjerimin do të takohet të hënën në Tiranë me Kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist, Rama në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në Parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat.
Pak ditë më parë, në një konferencë për Ballkanin të organizuar nga e djathta europiane, Komisioneri Fyle u shpreh se do të ishte mëkat nëse kjo çështje nuk do të tejkalohej. Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’u paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.
Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat qershorin e ardhshëm. Ai ka vendosur të vijë në Tiranë për t’u takuar me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin socialist Edi Rama të hënën e ardhshme.
Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërcin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.
Tetorin e kaluar, komisioni u rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil. Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e çështjes së qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se çështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende.
Për shkak të kësaj përplasjeje në dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.
Vizita në Tiranë e Komisionerit Fyle nuk pritet të jetë një mision i lehtë. Nuk dihet nëse ai do t’ju paraqesë palëve një formulë kompromisi apo thjesht do të përpiqet që të ushtrojë trysni në emër të interesit që vendi të përparojë në rrugën e integrimit. Mes palëve politike shqiptare janë në lojë edhe llogaritë elektorale, të cilat e kanë rritur më tej tensionin e brendshëm