Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin europian, Stefan Fyle i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë, është takuar mëngjesin e sotëm me ambasadorin  e BE-së, Ettore Sequi, atë të OSBE në Tiranë, Eugen Ëollfarth, me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu si dhe me ambasadorët e tjerë të huaj të akredituar në vendin tonë.

Pas takimit, ambasadori holandez u shpreh se çështja e zgjedhjeve dhe statusi i vendit kandidat për në BE janë dy pika ku Fyle është fokusuar në këtë takim. “Pavarësisht diskutimeve për zgjedhjet, axhenda për bashkimin evropian është shumë e rëndësishme dhe pjesë e diskutimit”, u shpreh ai.

Axhenda e Stefan Fyle

Fyle ditën e sotme do të takohet me kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist Rama në përpjekje për të mundësuar një zgjedhje për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli. Sipas axhendes, është parashikuar që rreth orës 10:45 Fyle të takohet me Kryeministrin Sali Berisha. Pas tij, rreth orës 12.00 pritet që ai të takohet me kreun e PS, Edi Rama. Ndërkohë që rreth mesditës pritet që Fyle të takohet me kreun e shtetit, Bujar Nishani. Vizita e tij pritet të jete një përpjekje e fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat. Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat qershorin e ardhshëm.