Tiranë, 11 nëntor 2013 – Eurokomisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle pas takimit me kryeministrin e vendit Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e qeverisë, se dialogu politik mes qeverisë dhe opozitës është thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit.
“Ne kemi diskutuar dhe kemi prekur një sërë çështjesh. Natyrisht që kemi folur edhe për statusin e vendit kandidat. Dhe këto janë disa çështje, të cilat ne i kemi diskutuar edhe në sajë të rekomandimit që dha Komisioni Evropian, por do të vazhdojmë t’i diskutojmë edhe në takime të tjera, që ne do t’i kemi sot, por edhe ditën e nesërme, të cilat së bashku do të jenë një mundësi për të parë pikërisht se çfarë pritet nga Shqipëria, për sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian. Natyrisht që, përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat, Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat ende duhen përmbushur. Kjo, për sa i përket edhe vendosmërisë që duhet të tregojë Shqipëria për trajtimin e këtyre sfidave, por mbi të gjitha, për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, pikërisht përpjekjet e vazhdueshme që duhet të bëjë Shqipëria, për të vënë në zbatim këto përpjekje dhe për të treguar rezultate. Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv. Natyrisht, ky mes qeverisë, por dhe opozitës, pasi besoj që ky është tërësisht thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit.”- deklaroi komisioneri Fyle.
RAMA: 100% te vendosur per te cuar me tutje Integrimin e Shqiperise ne BE
I pari ka folur kryeministri Rama, i cili gjatë fjalës së tij tha se:
“Ne jemi 100% në një gjatësi vale lidhur me pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni, në funksion të përpjekjes për të shkuar drejt hapjes së negociatave, jemi 100% të vendosur për të çuar më tutje, një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar apo krimit të rrugës dhe korrupsionit, luftë e cila vetëm sa ka filluar dhe jemi 100% të predispozuar që të ndërtojmë një proces, ku zotimi ynë, që të mos i mohohet opozitës asgjë nga çka na u mohua ne kur ishim në opozitë dhe ne të sillemi me opozitën, ashtu siç do të kishim dashur të sillej qeveria me ne, të jetë një realitet i prekshëm. ”- deklaroi shefi i qeverisë shqiptare, në konferencën e përbashkët me eurokomisionarin Fyle.
Kryeministri Rama bëri me dije se, pas konferencës për shtyp, ai bashkë me zotin Fyle do të ketë një takim më të zgjeruar në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit me një grup studentësh dhe nxënësish të përzgjedhur në bazë të rezultateve të tyre të shkëlqyera, për të ndarë këndvështrimin e Europës me gjeneratën tjetër.





