25 mars 2014 – Në përpjekje për të izoluar Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë, presidenti Barack Obama dhe fuqitë e tjera ekonomike botërore pezulluan për një kohë të pacaktuar Moskën nga një koalicion i madh ndërkombëtar të hënën, përfshirë anulimin e një samiti ekonomik të planifikuar nga Presidenti Vladimir Putin që ishte planifikuar të mbahej në qershor.
Presidenti Obama u takua me udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Kanadasë dhe Japonisë për një takim urgjent të Grupit të Shtatë vendeve më të industralizuara, i cili u përqëndrua në aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, udhëheqësit e këtij grupi thanë se kishin pezulluar pjesëmarrjen e tyre me Rusinë në Grupin e Tetë vendeve më të industrializuara për aq kohë sa Moska nuk "ndryshon kurs'' në qasjen e saj ndaj Ukrainës.
Udhëheqësit e G7 thanë se në vend të pjesëmarrjes në takimin e planifikuar të takim të G8 në Soçi të Rusisë, ata në qershor do të mbajnë një takim të G7 në Bruksel.
Më parë të hënën, Presidenti Obama tha se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara në mbështetjen për qeverinë ukrainase dhe popullin ukrainas.
"Evropa dhe Amerika janë të bashkuar në mbështetjen tonë për qeverinë dhe popullin ukrainas. Ne jemi të bashkuar në përpjekjet për t’i imponuar një kosto Rusisë per veprimet e saj",- tha Obama.
Administrata amerikane është gjithashtu duke u përpjekur të zgjerojë mbështetjen përtej Evropës për veprimet e saj ndaj Moskës. Një prej takimeve të para të zotit Obama ishte me presidentin kinez Xi Jinping në punimet e takimit mbi çështjen bërthamore në Holandë.
"Sot, përveç punës së rëndësishme që do të bëjmë në Samitin e Sigurisë Bërthamore, ne do të kemi mundësinë për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh që janë në interes të përbashkët, duke përfshirë çnuklearizimin e Koresë së Veriut, ndryshimet klimatike si dhe çështjet botërore si situata në Ukrainë".
Kina ka ndërmarrë një hap të rrallë për të sfiduar veprimet e Rusisë në Krime duke thënë, ashtu si Shtetet e Bashkuara, se ajo dëshiron një zgjidhje me rrugë diplomatike të krizës.
Në samitin bërthamor, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ishte në mesin e pjesëmarrësve, por jo presidenti rus Vladimir Putin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





