Një 35-vjeçar shqiptar i dënuar me 9 vite burg për shantazh, drogë dhe prostitucion është liruar gabimisht nga autoritetet dhe aktualisht po shijon lirinë në Shqipëri.
Sipas gazetës belge “dhnet.be”, shqiptari Safet Rustemi u dënua nga Gjykata e Apelit më 25 janar të këtij viti dhe rezulton se u lirua rreth 6 muaj pas këtij vendimi.
Apeli e dënoi me 9 vite burg për tentativë vrasje, tentativë grabitje, shfrytëzim prostitucioni dhe organizatë kriminale. Por për shkak të një gabimi të gjykatës belge, që nuk urdhëroi arrestimin, por deportimin, Rustemi u dërgua në Shqipëri, madje edhe shpenzimet e biletës u hoqën nga autoritetet belge.
Aktualisht Safet Rustemi ndodhet në fshatin Dobraç të Shkodrës duke shijuar lirinë, raporton media belge.
Tashmë pritet që të shpallet në kërkim për t’u arrestuar dhe ekstraduar për të vuajtur dënimin në Belgjikë.





