Policia e Durrësit i ka bërë kërkesë policisë së Tiranës për heqjen e autorizimit të lejes së armës së zjarrit për Genti Nderjakun, pasi është konstatuar shkelja e vendimit të autorizimit.
Sipas policisë, Nderjaku ka dalë në rrugë me armë para disa ditësh dhe u arrestua së bashku me mikun e tij Marjel Fierza me akuzën për “Armëmbajtje pa leje”.
Policia sqaroi dy ditë më parë, se leja e armës që iu gjet me vete Nderjakut ndërsa po udhëtonte si pasagjer në automjetin tip Porsche, është vetëm për brënda banesës dhe i riu me veprimin e bërë ka shkelur ligjin.
Për këtë arsye arma i është sekuestruar nga policia e Durrësit pas arrestimit në flagrancë së bashku me Marjel Fierzën.
Blutë e Durrësit bëjnë të ditur se për shkeljen e vendimit të mbajtjes së armës me vete Genti Nderjakut i hiqet autorizimi dhe do të dënohet me gjobë në vlerën 300 mijë lekë.
Një ditë më parë, gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Nderjakun, ndërsa për mikun e tij Marjel Fierza u caktua masa e sigurisë “Arrest me burg”.
K.H.





