Falë natyrës dhe kostove të ulëta, italianët kanë braktisur vendin e tyre për Shqipërinë.
Gazeta italiane “Gaeta.it” në artikullin e saj bën një krahasim mes dy vendeve, ku një javë në Shqipëri mund të shkojë 500 Euro, një shifër e paimagjinueshme për Italinë, ku e njëjta shumë do të shpenzohej vetëm për hotelin.
“Gaeta.it” veçon edhe plazhet me ujëra të kristaltë, si Dhërmiu, Himara dhe Saranda. Për këtë arsye, vendi ynë është një destinacion shumë i përshtatshëm dhe ia vlen të përfshihet në listën e udhëtimeve edhe për vitin e ardhshëm. Por italianët po e shohin vendin tonë edhe si një alternativë shumë të mirë për të jetuar.
Media e huaj thotë se kohët e fundit, italianët janë vendosur në Shqipëri për shkak të çmimeve të favorshme, por edhe distancës së afërt me vendlindjen.