11 maj 2015 – Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një status ditën e djeshme, duke thënë se ish-përgjegjësi i Sektorit të Antikontrabandës, Ervin Kaja, është arrestuar në Itali për trafik kokaine, por kjo nuk është e vërtetë.
I arrestuari në fakt është një tjetër person. Ai është Ervin Kajo, jo Kaja, 31 vjeç, nga Kavaja.
Gazeta ‘TemA’ ka kontaktuar me ish-drejtorin e Antikontrabandës Tokësore, Ervin Kaja.
Ai thotë se ndodhet në Shqipëri dhe sa ka dhënë dorëheqjen vullnetarisht më 17 mars, pasi i ka lindur fëmija e tretë dhe për më tepër, nuk mund ta bënte dot atë punë, pasi nuk kishte specializimin e duhur.
“Lajmi i publikuar nga Berisha më ka shqetësuar mua dhe familjen time. Unë jam i qetë në shtëpinë time, ndërkohë që Berisha thotë se më kanë arrestuar në Itali. U përpoqa të komunikoja me të, i nisa dhe foto, por Berisha nuk e përgënjeshtron atë që ka shkruajtur”, thotë Kaja, i cili është nga Berati dhe aktualisht jeton në Vorë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/