Gafë e pabesueshme e FIFA-s, që zbulon fituesin e “Topit të Artë 2015″, përpara zhvillimit të ceremonisë zyrtare, të hënën e ardhshme në Zyrih. Për pak minuta, në faqen zyrtare të konfederatës botërore të futbollit u shfaq lajmi se Lionel Messi është fitues i trofeut prestigjoz për meshkuj, ndërsa Celia Sasic fiton çmimin për femra. Pakujdesia nuk kaloi pa u vënë re, me lajmin që bëri xhiron e botës.

Nëse gjithçka konfirmohet, kjo do të jetë hera e pestë që Messi triumfon në garën për lojtarin më të mirë në botë. Një sukses që do të ndërpresë dominimin e Cristiano Ronaldos, fitues të dy edicioneve të fundit. Sulmuesi argjentinas do të bëhej futbollisti i vetëm që e ka fituar pesë herë trofeun e Topit të Artë. Ende nuk është e qartë si do të pritet kjo gafë e FIFA-s nga dy finalistët e tjerë, Neymar dhe Cristiano Ronaldo. E sigurt është që në vitin 2012, kur triumfi i Messit ishte i sigurt, portugezi i Realit të Madridit vendosi të mos paraqitej në mbrëmjen gala, me justifikimin e impenjimit në ndeshjen e kupës ndaj Malagas.