DURRËS, 29 nëntor 2014 – Lewis Hamilton bën një gafë që vështirë se e fejuara e tij, Nicole Scherzinger do t’ia falë. Kjo ndodhi gjatë një emisioni radiofonik ku kampioni i botës nuk arriti të dallonte zërin e së dashurës, duke e ngatërruar me atë të Justin Timberlake.
I ftuar në radion BBC, Hamilton u testua nga drejtuesi Nick Grimshaw për artistët e disa këngëve, por mesa duket kampioni i botës ra në kurth. Askush nuk e priste qe Lewis të mos dallonte zërin e Nicole me të cilën njihet që prej 7 vjetësh dhe tashmë gafa ka marrë përmasa të mëdha. Kënga “Scream” e shkruar nga Timberland dhe e interpretuar nga Scherzinger është një ndër hitet e muzikës pop, por mesa duket, Hamilton nuk është i pasionuar pas muzikës. Gjithsesi, për të mbuluar disi gafën, Lewis sqaroi se në kohën kur u publikua kënga, nuk shoqërohej me Nicole. A do ta falë ish pjesëtarja e Pussycat Dolls të dashurin e saj? Ndoshta ajo do ta mbyllë njërin sy si dhuratë për kampionin e botës.





