Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka përshëndetur me një mesazh në “Facebook” raportin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por në mesazhin e tij, sipas Temës, Basha flet për heqje vizash, dhe jo për liberalizim. Komisioni Evropian miratoi sot një raport pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, por praktika e heqjes së tyre kërkon kohë të bëhet konkrete.  

Kosova duhet të plotësojë 8 kushte në mënyrë që shtetasit e saj të udhëtojnë pa viza. Sipas zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën, Ulrike Lunaçek, heqja e vizave për shtetasit kosovarë mund të ndodhë vitin e ardhshëm.

Postimi

Një lajm i gëzueshëm për Kosovën, rekomandimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave. Një hap i madh përpara, një lehtësim qe qytetarët e Kosovës e meritojnë. Përgëzime dhe inkurajime për autoritetet në Prishtinë që të punojnë me përkushtim për hapat e tjerë të rëndësishëm për integrimin në Bashkimin Europian.