Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, bëri një gafë gjatë deklaratës së një nate më parë në emisionin “Opinion”. Manastirliu u pyet nga drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu se pse në portin e Vlorës është ndërprerë udhëtimi me traget, ndërsa në portin e Durrësit nuk është ndërprerë për asnjë ditë.
Përgjigjja e Manastirliut ishte një lëmsh i vërtetë, pasi nr.1 i shëndetësisë e lidhi portin e Vlorës me atë të Ankonës, ndërkohë që jo vetëm specialistët e fushës por edhe njerëzit e thjeshtë e dinë që porti i Vlorës ka pasur gjithnjë linjë trageti me Brindizin dhe jo më Ankonën. Por Manastirliu bëri gafë jo vetëm përsa i përket linjës së tragetit, por edhe përsa i përket të dhënave lidhur me numrin e të prekurve nga koronavirusi në qytetin e Ankonës.
Blendi Fevziu: Përse porti i Vlorës, qëndron akoma i mbyllur për transportin e mallrave, ndërkohë që duhet t’i bëjmë transportet nga Durrësi?
Ogerta Manastirliu: Jemi duke bërë një vlerësim, sepse Ankona ka qenë një zonë më e prekur dhe ka qenë një vatër më e madhe e infeksionit. Thjesht për çështjen e infeksionit sepse porti i Vlorës është i lidhur me portin e Ankonës, ndërsa i Durrësit është i lidhur me Barin. Bari nuk është një zonë shumë e prekur.
Për të informuar ministren po saktësojmë se porti i Durrësit ka lidhje me portet e Barit, Ankonës dhe Triestes, ndërsa ai i Vlorës lidhet me Brindizin.
Nga ana tjetër, Ankona nuk është një nga vendet më të prekura në Itali. Aty janë shënuar 1819 raste me koronavirus, shumë më pak se në Milano, Torino, Brescia dhe Bergamo, ku janë shënuar përkatësisht 20.254; 13.916; 13.122; dhe 11.538 të infektuar.
DurrësLajm duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Italia bën të ditur se Brindizi, qyteti port i Italisë së jugut ka një numër mjaft të vogël të prekurish, 582 në total dhe asnjë vdekje. Që nga fillimi i pandemisë veriu i vendit fqinjë ishte më i prekuri dhe me numrin më të madh të viktimave, ndërsa në jug situata ishte krejt ndryshe.
Që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, trageti “Galaxy” që bën linjën Vlorë-Brindizi ka ndërprerë udhëtimet për transportin e mallrave. Fillimisht trageti udhëtoi drejt Greqisë, ku qëndroi 14 ditë në karantinë, por më pas qëndrimi i tij u zgjat në më shumë se një muaj. Në fund të muajit prill, trageti u nis drejt portit të Brindizit dhe pritej të riniste udhëtimet ditore. Por ishte sërish një vendim i Ministrisë së Infrastrukturës që pezulloi udhëtimin e tragetit drejt portit të Vlorës.
Që nga data 26 prill, trageti në fjalë ndodhet në portin e Brindizit, ndërsa ende nuk ka një datë se kur do të nisë udhëtimin dhe një arsye konkrete se pse autoritetet kanë penalizuar portin e Vlorës nga linja detare e tranportit të mallrave me traget drejt portit të Brindizit.
F.P.





