Tiranë, 9 shtator 2014 – Presidenti Bujar Nishani, ndërsa ka pritur gjatë ditës së sotme në një takim komisioneren e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, zonjën Astrid Thors, ka bërë një gafë.

Ai e ka cilësuar Luginën e Preshevës, si Serbia e Jugut.

Asnjë prej zyrtarëve shqiptarë nuk e ka quajtur deri më sot Luginën e Preshevës, si Serbia Jugore.

Madje, ajo njihet si Kosova Lindore.

Duke u ndalur tek të drejtat e shqiptarëve të Serbisë së Jugut, Presidenti vuri në dukje se ndjekja dhe vënia në zbatim e planit 7 pikësh nga qeveria në Serbinë e Jugut është prioritare, e domosdoshme për t’u shoqëruar me një vëmendje shumë më të madhe investimesh dhe zhvillimi ekonomik për këtë zonë.

Gjithashtu, presidenti evidentoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave mes Shqipërisë dhe Serbisë, si një hap që do të nxiste punësimin e të rinjve nga Serbia e Jugut të arsimuar në Shqipëri, dhe jo braktisjen dhe shpopullimin e zonës”, thuhet në komunikatën zyrtare të Presidencës.

Kjo ka sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale, të cilat kanë qenë kritike me Nishanin.

Edhe mediat kosovare nuk e kanë pritur mirë gafën e Nishanit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/