·       Një histori e panjohur e mjekut, i cili, para se të bëhej president i Shqipërisë, u takua me 36-vjeçarin Muhtar Kent, në atë kohë përfaqësonte Coca Cola-n si president i divizionit të Evropës Lindore Qendrore për 23 vende ish-komuniste. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1989, në një dhomë vizitash, ku nuk kishte ngrohje dhe pacientët uleshin mbi arka druri frutash. Ja kush e “furnizonte” me kopje gazetash dhe revistash perëndimore kur nuk kishte rënë ende diktatura. Dikush e kishte rekomanduar të takonte patjetër doktorin e bllokut   

11 shtator 2015 –  Berisha ka qenë jo kardiolog, por … dentist! Kjo gafë i ka shpëtuar Njëshit të Coca-Cola-s, biznesmenit me emër botëror, turko-amerikanit Muhtar Kent.

Revista e famshme amerikane e biznesit “Fortune” ka pyetur presidentin e Bordit të Drejtorëve dhe CEO (drejtor i përgjithshëm ekzekutiv) i kompanisë  Coca-Cola Muhtar Kent: “Si ndërtoni marrëdhënie kuptimplote biznesi?”. Pasi ka folur për rëndësinë e marrëdhënieve, Presidenti i Coca Cola-s tregon për hyrjen e saj në ish-Lindjen komuniste dhe në Shqipëri. Këtu ka përuruar fabrikën së bashku me ish-Presidentin Sali Berisha, të cilin e bën “dentist” dhe jo kardiolog, ndonëse e ka takuar në dhomën e vizitave, në vitin 1989. Gjithashtu mësohet se “furnitori” i parë me gazeta dhe revista perëndimore i Berishës ka qenë ai që sot është kreu i simbolit të ekonomisë së tregut. Ja çfarë kujton Muhtar Kent:

“Në vitin 1989, kur isha 36 vjeç, ​​përgjigjesha për hyrjen e Coca-Cola-s në tregjet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe vendet e Evropës Lindore. Kjo ndodhi fill pas rënies së murit të Berlinit. Konceptet e të drejtave themelore të njeriut, lirisë së fjalës, demokracisë, sipërmarrjes private, pronësisë së tokës, të gjitha këto ishin risi për 350 milionë njerëz që jetonin në këtë hapësirë. Natyrisht, nuk kishte asgjë dhe as mund të flitej për infrastrukturë të Coca-Cola-s në këto vende. Atje nuk kishte as fabrika, as sisteme shpërndarjeje. Sfida jonë kishte të bënte me ndërtimin e më se 20 impianteve dhe me krijimin e sistemit modern të shpërndarjes për pak muaj, madje njëkohësisht në 23 vende.

Në një nga ato ditë isha në Shqipëri, në atë kohë një prej vendeve politikisht dhe ekonomikisht më të izoluara në botë. Ekonomia shqiptare ishte në kaos, njerëzit jetonin në varfëri të pabesueshme. Megjithatë, ne pamë atje potencial dhe ishim të vendosur të hapnim fabrikë. Na duhej të gjenim njerëzit e duhur për të na ndihmuar. Dikush më rekomandoi një mjek, duke më thënë se “duhet të takoni këtë njeri”

E gjeta mjekun në zyrën e tij. Në punë nuk kishte ngrohje dhe ai përdorte arka druri frutash për të ulur në to pacientët. Vendosa shpejt marrëdhënie me të dhe do t’i dërgoja kopje të gazetave dhe periodikëve perëndimorë, që mungonin në vendin e tij në atë kohë. Pas një viti, gjatë zgjedhjeve të para të lira, ky dentist – Sali Berisha – u bë presidenti i parë i zgjedhur i Shqipërisë [this dentist – Salih Berisha – became the first elected president of Albania]. Coca-Cola ishte investimi i parë i huaj, dhe në vitin 1993 hapëm fabrikën e parë moderne të Coca-Cola-s. Presidenti Berisha u ishte bashkë me mua në prerjen e shiritit dhe sot Coca-Cola ka punësuar mbi 2 000 veta në këtë vend”.

/portali “DurresLajm”/