Edhe nëse sistemi VAR ka gabuar, gafa nuk do të regjistrohet si e tillë. Pas humbjes 5-0 përballë Borussia Dortmund, klubi i Këlnit hoqi dorë nga Apelimi për një vendim të marrë nga Video Assistence Referee. Sipas drejtuesve të klubit, goli i Sokratis Papastathopoulos u cilësua i rregullt pavarësisht se loja ishte e ndaluar.

Sipas Këlnit, arbitri kishte akorduar goditje dënimi në favor të portierit, përpara se topi të prekte rrjetën. Episodi u regjistrua në minutën e vetme shtesë të pjesës së parë. Nga një aksion nga goditje këndi, portieri i Këlnit, Horn humbi kontrollin e topit. Arbitri fërshëlleu për ndërhyrje të parregullt, ndërsa Papastathopoulos e shtyu drejt portës topin.

Gjithçka ndodhi ndërsa loja ishte e ndaluar dhe duhej të niste nga goditje dënimi në favor të ekipit mik. Por, ndërhyrja e VAR pas rishikimit të imazheve filmike e detyroi gjyqtarin ta cilësonte të rregullt golin e avantazhit të përkohëshëm 2-0 të Borussia Dortmund. Në fund, ndeshja përfundoi me fitoren e thellë 5-0 të verdhezinjve, por ajo që ndodhi përpara pushimit ndërmjet pjesëve nxiti zemërim te Këlni.

Klubi pretendeonte se ndërhyrja e sistemit VAR bëri që arbitri të kryente një gabim teknik, duke cilësuar të rregullt një gol ndërsa loja ishte e ndaluar dhe mund të kërkonte anulimin e ndeshjes. Në fund drejtuesit e Këlnit hoqën dorë nga Apeli, duke shpëtuar Video Assistence Referee nga një episod i sikletshëm, edhe pse duket e pashmangshme që polemikat do të vazhdojnë.