Tiranë, 2 qershor 2014 – “23 qershori do të jetë një ditë e shënuar për shqiptarët. Shqipëria e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian”.
Kështu u shpreh ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani gjatë fjalës përshëndetëse të mbajtur në ceremoninë festive të organizuar në mjediset e rezidencës italiane në kuadër të festës së Republikës Italiane.
Gaiani shprehu mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë, ndërsa shtoi se ky muaj është mjaft i rëndësishëm për udhëtimin e Shqipërisë drejt Europës.
“Fillon sot një muaj i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për udhëtimin e saj drejt Evropës. Shqipëria e ka merituar marrjen e statusit e vendit kandidat që në dhjetorin e kaluar, edhe sa i takon mënyrës së ndërrimit të qeverive, dhe reformave të realizuara që fillimi i qeverisjes PS-LSI. Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në rrugën e saj drejt Evropës”, tha ambasadori italian në Tiranë Massimo Gaiani.
Të pranishëm në ceremoninë festive ishin Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kreu i PD Lulzim Basha, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe personalite të tjera.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





