25 shtator 2015 – Në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të Durrësit është hapur këto ditë një ekspozitë me punime nga autorë të ndryshëm vendas dhe të huaj.

Në sallën e galerisë janë ekspozuar 34 tablo, mjaft prej të cilave vijnë nga fondi i veprave të piktorëve italianë, që 10 vjet më parë dhuruan punimet e tyre në nderim të artistit me famë evropiane Ibrahim Kodra (1918 – 2006).

Në ekspozitë nuk mungojnë edhe veprat e autorëve vendas dhe të huaj, pjesëmarrës në Bienalen e parë kulturore, që u organizua në Durrës në verën e vitit 2014.

Drejtuesit e galerisë kanë vendosur të organizojnë ekspozita me punimet e fondit shumëvjeçar, që numëron afro 1000 punime të autorëve durrsakë që nga fillimi i viteve 1950.

/portali DurresLajm/