Megjithëse gjatë sezonit turistik ka qenë për pjesën më të madhe të kohës e mbyllur, galeria pamore “Nikolet Vasia” ka mirëpritur rreth 7000 vizitorë gjatë këtij viti. Krahas piktorëve dhe skulptorëve durrsakë, një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe artistëve nga rrethe të tjera të vendit, nga trevat shqiptare jashtë kufijve kombëtarë, madje nuk kanë munguar rastet e ekspozimit edhe të veprave të artistëve të huaj. Pas rikthimit nga pushimet duket se galeria ka rinisur të gjallërohet.

Kështu krahas ekspozitës, ku morën pjesë 50 artistë durrsakë, e hapur me rastin e “Ditës së durrsakëve” galleria ka hapur dyert edhe për ekspozitat personale. Kështu për rreth një javë në të qëndruan të ekspozuara rreth 64 punime të piktorit nga Tirana, Fatmir Vasjari. Ndërkohë në kalendarin e aktiviteteve përgjatë muajve shtator dhe tetor, meqë po i afrohemi festës së pavarësisë, një pjesë e ekspozitave do të jenë në këtë kuadër.

Me datë 21 shtator, në kuadër të 100 vjetorit, do të hapet një ekspozitë e arbëreshëve të Italisë, të cilët përmes punimeve që do të paraqesin aty do të dëshmojnë për ruajtjen e vlerave të traditës dhe kulturës arbëreshe. Në ambientet e galerisë do të hapet një panair me veshje tradicionale të trevave të ndryshme shqiptare e shoqëruar dhe me punime artizanale.

Në nëntor në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë do të hapet një ekspozitë me 120 punime nga piktorë dhe skulptorë italianë dhe ndërkombëtarë. Për ta do të zhvillohet një organizim i veçantë me të ftuar të nderuar. Ky ekspozitë do të mundësohet falë bashkëpunimit me Ambasadën Amerikane dhe piktorë nga vende të ndryshme të Europës dhe botës.