Ai është një nga emrat më të njohur të krimit në Britaninë e Madhe.

Ronnie Biggs, 83 vjeç, mori pjesë në të famshmen “Grabitja e Madhe e Trenit” në vitin 1963.

Më shumë se 2.6 milion sterlina u grabitën nga një tren i postës. Sot vlera e tyre është mbi 67 milion dollarë.

Pas grabitjes, ai u arrestua, por vetëm disa muaj më vonë u arratis nga burgu dhe për 36 vite jetoi në arrati, duke bërë edhe operacione plastike.

Në vitin 2001 u kthye në Britani vullnetarisht dhe kaloi disa vite në burg, prej nga u lirua në vitin 2009, për shkak se shëndeti iu përkeqësua.

Por edhe pse në këtë moshë, Biggs nuk harron të bëjë gjeste sfide.

Ai ngriti dy gishtat lart ndaj kamerave, kur fiksuan fytyrën e tij.

Biggs po merrte pjesë në funeralin e bashkëpunëtorit të tij në vjedhje, Bruce Reynolds, që vdiq në gjumë në moshën 81- vjeçare.

Bruce mendohet se ka qenë njeriu që thuri komplotin.

Djali i tij, Nick, tha se babai e quante këtë vjedhje si Kapela Sikstine e tij.

Bruce u burgos për 25 vite për rolin e tij në këtë vjedhje.