E mbaja mend që në vogëli dhe e kisha fiksuar, që mbrojtës i krahut të majtë për shumë vite me Lokomotivën luajti edhe Gani Dane. Në këtë moshë të fiksohen disa profile futbollistësh që qëndrojnë si një inventar aktiv në magazinën e pasur të kujtesës. Një i tillë është edhe Gani Dane. Mendimi për të shkruar për të më lindi papritur, por isha edhe i bindur se isha i detyruar të shkruaja për Gani Danen. Një burrë shtatshkurtër, por me gjallërinë e rinisë së atëhershme, ky Gani Dane mbetet gjithnjë i gjallë dhe i freskët për t’i dhënë akoma futbollit.

Natyrisht nuk i takon emrave shumë të mëdhenj, por niveli i futbollit që demonstroi i detyronte trajnerët në vite, që këtë futbollist të pa konkurueshëm nga karakteri dhe grinta e garës ta përfshinin në formacion. Teksa vendosa të shkruaja për të dhe ta takoja, pashë një skuqje në fytyrën e tij, por edhe një dëshirë të pakufishme për mirënjohjen që po i bënim.

Para se të nisnim minutat e para të komunikimit, Gani Dane nxitoi të më thoshte pikërisht në këtë valë mirënjohje: “Ju faleminderit që më keni zgjedhur mua për të shkruajtur. Ju jam mirënjohës pikërisht për këtë nderim që po tregoni, duke më provokuar edhe më shumë sedrën për të vazhduar rrugën e bukur, të gjatë dhe të vështirë të futbollit. I detyrohemi shumë protagonistëve në vite të futbollit durrsak dhe me sa të mundemi, do të shlyejmë një lloj borxhi që është krijuar në vite. Dhe padyshim Gani Dane është një pjesë e këtij borxhi.

Rini dhe nostalgji

Ganiu është i datëlindjes 7 maj 1939, por kur bie fjala për futbollin fytyra e tij çelet dhe merr nuancat e pranverës. E ka dashur dhe vazhdon ta dojë shumë futbollin, aq sa harrohet tërë ditën në fushat dhe terrenet sportive. “Edhe kur më thonë në shtëpi,- shprehet Ganiu,- që të drekoj së bashku me familjen dhe pse jo edhe të pushoj pak, u them që shplodhjen më të mirë e ndjej pranë fëmijëve futbollistë që më duan dhe më trajtojnë si babanë e tyre”. Erdhi nga vendlindja (Filati nga krahina e njohur e Çamërisë) në Durrës, kur ishte 2 vjeç dhe tani “le kokën” për këtë qytet që e rriti, e bëri familjar të ndershëm dhe baba të katër fëmijëve si drita.

Por duket se natyra i kishte dhënë si “detyrë” t’i kushtohej futbollit dhe ta ushtronte atë nga vegjëlia e deri tani që sapo i ka lënë pas të 76 vitet. Gani Dane njihet mjaft mirë në Durrës. Ka shumë miq edhe shokë dhe veçanërisht mban lidhje të ngushta me durrsakët safi të këtij qyteti me tradita të spikatura në topkëmbë. Në lokalin modest të të birit Ilirit, hapur diku në një qoshe të qytetit, të kënaqet syri dhe të këndon xhani kur shikon me dhjetëra e dhjetëra durrsakë të ëmbël dhe bujarë, që vijnë të pijnë një kafe dhe një gotë raki dhe të kujtojnë kohën e rinisë dhe veçanërisht atë të futbollit. Kjo ishte një tjetër befasi që na e krijoi njeriu i urtë, fisnik dhe shumë i qeshur me emrin Gani Dane.

Filloi të rrekej në fushat e përbaltura sportive që kur ishte fëmijë dhe as nuk mund ta mendonte që pa mbushur të 13-tat, trajneri Faik Dervishi kishte nevojë për aftësitë e tij. Shoqëria Puna shtohet me një futbollist më shumë, i cili më pas do të fitonte zemrat e tifozërisë durrsake dhe emri i tij do të thërritej në kor si mishërimi më i mirë i luftës dhe karakterit sportiv.

“Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, thotë Ganiu,- u detyrova të filloja punë si këpucar që në moshën 12 vjeçare. Lodhesha shumë, por gjeja kohë të shkelmoja topin dhe kjo më joshte, më bënte me fletë dhe ma shpërndante ngarkesën si me dorë. Në fillimet e mia sportive kujtoj jo pa emocion Benon Shehun, Kujtim Zharin, Sopot Rustemin, Omir Topçiun dhe më tej pata fatin të përfshihem me një ekip me futbollistët cilësorë të Lokomotivës si Mustafa Hajdari, Mikel Muka, Abdulla Duma, Thoma Thimjo, Banush Pasha, Nysret Shyti, Met Myshku, Shyqyri Hasa etj.”

Si futbollist Gani Dane e mbajti topin në këmbë nga viti 1948 deri në vitin 1966. Gjithnjë kërkues ndaj vetes, korrekt me kundërshtarin dhe i respektueshëm nga shikuesit. Memoria e tij është gjithnjë e freskët kur është fjala, që si mbrojtës i majtë të kujtojë që në portë i ra rasti të luajë me portierë të tillë si Mile Qoshja, Teli Ciko, Raqi Pisku, Met Hoxha dhe Jonuz Teli. Ndërkohë që Lokomotiva e tij drejtohej nga trajnerë me CV të pasur si Adem Karrapici, Tom Gjiri, dhe Skëndër Dedja.

Një burrë shtatshkurtër, por me gjallërinë e rinisë së atëhershme, ky Gani Dane mbetet gjithnjë i gjallë dhe i freskët për t’i dhënë akoma futbollit. Natyrisht nuk i takon emrave shumë të mëdhenj, por niveli i futbollit që demonstroi i detyronte trajnerët në vite, që këtë futbollist të pa konkurueshëm nga karakteri dhe grinta e garës ta përfshinin në formacion

Ganiu ishte prezent në transformimin e emrave të ekipit durrsak si Puna dhe Spartak i Durrësit, e deri sa mori emrin emblematik Lokomotiva. “Absolutisht, shpjegon Ganiu që emri Lokomotiva nuk ishte huazim i emërtimeve paralele të ekipeve të lindjes, por i qytetit simbol të funksionimit të nyjes kryesore hekurudhore, ku natyrisht lokomotiva është detaj i prekshmërisë konkrete të saj. Dhe kur u ndava nga futbolli si lojtar, kam qarë si fëmijë dhe fanelën ia dorëzova mbrojtësit Stavri Nica. Ekrani i memories së Gani Danes çfaqej me ngjyra të ndezura dhe nostalgjia ia copëtonte shpirtin teksa mosha 76 vjeçare e bënte të dorëzohej në sentimente.

Gjyshi trajner i nipit

Ishte 30 vjeçar Gani Dane, kur u largua nga futbolli, por pasioni dhe këmbëngulja e veshi me një tjetër rol, atë të trajnerit. E kush më mirë se ai mund t’i transmetonte futbollit të moshave, dukuritë e një përvoje të vyer e shumë të vlefshme. “Sapo lashë futbollin, kalova në detyrën e trajnerit. Duke punuar tërë kohës me sferën, as nuk mund të imagjinoja se 2012, do të shënonte 46 vjetorin e pozicionit tim si trajner. Ndjej kënaqësi që kur lëviz rrugëve të qytetit, më thërrasin me respekt: Hë profesor Ganiu, si je! Nuk mund t’i mbaj mend të gjithë emrat e brezave që i mësova se si luhet futbolli, por në një gjë jam i sigurt se nxora futbollistë të tillë si ata të fisit Koka, duke nisur me Bashkimin, Bujarin e më vonë me Lefterin e Leonardin. Pjesë e punës time janë edhe Bujar Meta, Agim Maliqati e plot lojtarë të tjerë që luajtën dhe luajnë në vite me ekipin përfaqësues të qytetit.” 

Ganiu kujton se disa vite iu kushtua edhe gjykimit, duke krijuar treshet e famshme durrsake me emra të tillë nostalgjik si Stefan Dhima, Shazivar Gruda, Met Myshku, Spiro Sterjo, Ilia Doraci, Tod Rroço, Ymer Karaboja etj. Dy djemtë e Ganiut provuan të luanin futboll; si Iliri ashtu edhe Erjoni. Djali i madh Iliri dha ndihmesë jo vetëm në ekipin e të rinjve të vendlindjes, por kur kryente shërbimin ushtarak u aktivizua me ekipin e Sopotit të Librazhdit.

Teksa po përfundoja shënimet e mia, duke rreshtuar në to fakte të tilla si Gani Dane prej vitesh trajner i ekipit Kalaja dhe se punon pa shpërblim duke dhuruar për djemtë që i drejton fanela, këpucë, tuta e topa futbolli pa dashje desh anashkalova një fakt që ia vlen të ndalesh. Gani Dane, në vite rroku bashkëpunimin edhe më të vëllanë Ismailin (Malon), që stërvit Kalanë (emri i ekipit)  e tij edhe Elvin. Ky është nipi i tij, djali i Erjonit.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe,- komenton këtë dukuri Gani Dane,- se sa kur mëson të luajë futboll nipi im 6 vjeçar. Çfarë grinte që ka! E dini ju që ai luan edhe me 12 vjeçarët dhe është më i miri? Jam më shumë se i lumtur që nga fisi i Danajve, po lind një futbollist shumë i talentuar, me të cilin do të nderohet jo vetëm gjyshi që e mëson, por i tërë qyteti. Pa dashur të kalojë në anën e mburrjes, edhe tani që jam në moshën 76 vjeçare ruaj ndaj futbollit të njëjtin pasion e dashuri si në vitet e rinisë. Futbolli është jeta ime dhe ndaj tij përgjërohem për çdo ditë”.

Kur po ndahesha me Ganiun e ndjeva se si i shkëlqenin sytë, nëpërmjet të cilëve kërkonte të transmetonte mirënjohje. Dhe në vesh m’u duk se u varën fjalët: Ju faleminderit që më kujtoni!