Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që rivali i vetëm përballë Lulzim Bashës në garën për kreun e partisë të jetë Eduard Selami.
Sipas Edi Palokës, të vlefshme ishin vetëm kandidaturat e Lulzim Bashës dhe të Eduard Selamit.
“Shqyrtuam kandidaturat, por një pjesë ishin thjesht anëtar të PD dhe duhet që të paktën figurat të jenë publike, të njohura”,tha ai.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat e një grupi demokratësh se zgjedhjet brenda partisë janë farsë nëse Lulzim Basha nuk dorëhiqet.
Duke folur për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD, Paloka tha se debatet dhe mendimet ndryshe brenda partisë janë pjesë e demokracisë.
“Mungesa e unanimitetit do të thotë demokraci. Në 2013 nuk është ndjekur procedura që në fakt u kërkua me këmbëngulje dhe u realizua. Megjithatë më mirë që ne i zhvilluam me debat dhe me shumicë u vendos kjo që sapo ju thashë. Unë do uroja që gjithë përpjekja bashkohet në të njëjtën pikë. Ne duam ringritje të PD dhe me të gjhthë bashkë. Nuk e kemi luksin të përçahemi. Unë do uroja që kjo garë të tregojë se është realiste se është e ndershme. Sigurisht që vetëm farsë nuk është. Të fillojë nga ky proces ringritja e Partisë Demokratike”, tha Paloka.
Sa i përket kandidaturës së Astrit Patozit, i cili fillimisht deklaroi se do të garonte për kreun e PD dhe sot gjatë paradites u tërhoq, Paloka u shpreh: “Rasti i z.Patozi u diskutua dhe në Kryesi. Nëse realisht ishte kandidat, duhet të vinte dhe të na thoshte jam kandidat”.
Në mbledhje u kërkua nga grupi anti-Basha që të shtyhen zgjedhjet brenda PD dhe të analizohet humbja e 25 qershorit.
“Sot u kërkua të futej në rend dite një pikë tjetër që përfshinte dhe analizën. Pas diskutimeve unë e hodha në votim si kërkesë dhe nuk u pranua. Nuk mund të ketë analizë të zgjedhjeve në një mbledhje kryesia. Kjo s’do të thotë që nuk do të ketë analizë”, deklaroi Edi Paloka.
Mbledhja e Kryesisë drejtohej nga dy nënkryetarët e PD Edi Paloka dhe Edmond Spaho, kurse Lulzim Basha nuk ishte i pranishëm pasi ka ngrirë funksionet e tij.





