13 maj 2015 – Sondazhi i parë për zgjedhjet e 21 qershorit tregon se gara në Durrës është shumë e fortë. IPR Marketing dhe Ora News publikuan sot në mbrëmje shifrat e nxjerra nga sondazhi me qytetarët e Durrësit, të cilët nxjerrin fitues socialistin Vangjush Dako me vetëm 2 për qind më shumë. Ndërsa Dako ka marrë 51& të votave, kandidatja e djathtë, Grida Duma ka marrë 49&. Shifër kjo që parashikohet të ndryshojë pasi një pjesë e të pyeturve thonë nuk e kanë bërë ende zgjedhjen e tyre.
Gjithashtu rezulton se, Vangjush Dako gjithashtu merr më pak vota se koalicioni i majtë që e mbështet atë.
Aleanca për Shqipërinë Europiane merr 57% të votave, ndërsa e djathta vetëm 41.5% të votave.
Në Bashkinë e Durrësit janë pyetur 1001 persona, në datat 7-11 maj.
Sondazhi ka përfshirë tre qarqe të mëdha: Tiranën, Durrësin e Shkodrën. Në Tiranë fitues rezulton Erion Veliaj i PS-së, ndërsa në Shkodër Voltana Ademi e PD-së me diferencë të konsiderueshme votash.
Deri tani përballja e fortë është në Durrës, ku dy kandidatët shkojnë “kokë më kokë” me vota.