Përgjatë 48 orëve të fundit, policia rrugore në Tiranë, ka shtuar kontrollet në zonat ku po kryhen punime per zhvillimin e projektit të unazës së madhe, pranë shkollave publike dhe jo publike si dhe zona të tjera të kryeqytetit ku evidentohet ngarkesë e shtuar trafiku.

Si rezultat i kontrolleve, autoritetet njoftojnë se janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues automjetesh në gjendje të dehur dhe të pa pajisur me leje drejtimi.

Po ashtu bëhet me dije se janë ndëshkuar: 12 drejtues automjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 12 drejtues mjetesh për gara shpejtësie dhe mos rregullim shpejtësie në qendrat e banuara, 14 drejtues mjetesh për xhama të errësuar jo në përputhje me kriteret e miratuara në udhëzimin përkatës, si dhe janë pezulluar 12 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara.

Ndërsa 56 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mos përdorim të kaskës mbrojtëse dhe 112 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve.