Policia gjermane është në kërkim të një 21-vjeçari nga Kosova. Kushtrim Hoti dhe një person tjetër i cili është arrestuar, po bënin gara me automjetet e tyre, tip Mercedes-Benz dhe Range Rover në qytetin Moers të Gjermanisë.
Nga garat me shpejtësi të lartë, automjeti Range Rover u përplas me një makinë tjetër me të cilën udhëtonte një grua 43-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, e cila humbi jetën në spital për shkak të plagëve të rënda.
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve të japin informacion nëse kanë dijeni për vendndodhjen e tij, raporton NRZ.de. Garat ilegale të makinave janë kthyer në një fenomen shqetësues në Gjermani.
Nga fillimi i vitit 2019 deri më tani janë regjistruar 11 të vdekur si pasojë e aksidenteve në garat ilegale të makinave. Për rastin e fundit, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Gjermanisë, i cili ka bërë apel të fortë se rrugët e qyteteve nuk janë për gara dhe kushdo që nuk respekton rregullat do të marrë ndëshkimin e merituar.





