Nesër përmbyllet në PS-në e Durrësit procesi i propozimit të kandidaturave për garën për kryetarin e degës lokale.

Përveç emrit të Luan Zazës, i cili është propozuar masivisht nga organizatat socialiste, ditët e fundit nga takimet e strukturave në njësitë administrative kanë dalë dy propozime të reja, Edison Jonuzi dhe Erjon Meka.

Sekretari organizativ i degës, Elio Jani, bën të ditur për “DurrësLajm” se emri i Edison Jonuzit, ish-drejtorit të Burimeve Njerëzore në bashki dhe Erjon Mekës, kreut të rajonit nr.5, janë propozuar respektivisht nga kryetarët e organizatave socialiste në Katundin e Ri dhe në zonën e plazhit.

Propozimet nga baza për kandidatët për kreun e ardhshëm të degës lokale do të dërgohen në kryesinë e PS-së për përzgjedhjen finale.

Luan Zaza kandidon për një mandat të tretë në krye të PS Durrës, ndërsa Jonuzi dhe Meka do të përfshihen për herë të parë në garë, nëse kandidaturat e tyre do të aprovohen nga kryesia e partisë.

Zgjedhjet e fundit në PS Durrës janë mbajtur në janar 2020, kur Luan Zaza kandidoi i vetëm, pasi vetëm dy ditë para zgjedhjeve, kandidati tjetër Ardit Kërtusha u tërhoq nga gara dhe ngriti akuza për manipulim dhe ndërhyrje në procesin e votimit.

M.B.