Gara për kreun e Radio Televizionit Shqiptar, ka nisur pas arrestimit të ish-drejtorit Thoma Gëllçi, nën akuzën e korrupsionit.
Emrat e miratuar që kanë plotësuar kriteret e nevojshme për garën janë Enkelejd Joti, Iris Luarasi, Moza Haxhiaj dhe Laureta Roshi.
Ndërsa postin e drejtuesit e mban përkohësisht Martin Leka, i pavotuar nga Kuvendi.
Enkelejd Joti tashmë është në krye të QSUT-së, dhe një rikthim në skenën mediatike është i mundshëm, sa kohë që më parë Joti ka drejtuar Top Channel. Emri i tij është i preferuar edhe për kryeministrin Edi Rama, ndërkohë që RTSH vazhdimisht është akuzuar për varësi nga partia në pushtet.
Iris Luarasi, vjen nga bota e shoqërisë civile, pedagoge në Universitetin e Tiranës, në departamentin e gazetarisë dhe komunikimit. Duket se Luarasi ka ambicien që të drejtojë median publike në vend, edhe pse nuk ka eksperiencë në drejtime të ngjashme. Ajo ka qenë kryesisht e fokusuar te çështjet e të drejtave të grave, dhe ka drejtuar disa OJF.
Moza Haxhaj ka mbajtur për disa vite me radhë postin e kryeredaktores në RTSH, dhe ka shprehur ambicien që tashmë të mos jetë vetëm në drejtimin e lajmeve, por në një nivel menaxherial.
Emri i katërt që i është bashkuar garës është ai i gazetares Laureta Roshi, e cila së fundmi raporton nga Fieri për RTSH-në, dhe është angazhuar në disa çështje të prekshme sociale.