26 nëntor 2015 – Në degën e PS-së në qytetin bregdetar, zgjedhjet brenda partisë kanë sjellë edhe lakimet e para të emrave për kreun e saj. Mësohet se nga baza socialiste është propozuar që kreu i PS-së të jetë i ri, dhe të mos vijë nga detyra dhe funksione publike.
Sipas burimeve, ka pasur një propozim për drejtorin aktual të Ujësjellësit, Spartak Kovaci, për kryetar të PS-së Durrësit, por nuk është pranuar nga ky i fundit. Zërat flasin se edhe drejtori aktual i Ndërmarrjes Komunale të qytetit Luan Zaza, pretendon për të kandiduar për kreun e PS-së. Nga takimet në bazë, bëhet me dije se kandidatët për kreun e PS-së, duhet të kenë edhe imazhin e mirë në komunitet e më gjerë.
Kryetari aktual i PS- së qytetit Alfred Mullaraj dhe kryetari i PS-së për rrethin Gentian Bejko, mësohet se janë përjashtuar nga gara automatikisht, pasi mbajnë funksione publike, njëri kryetar qarku dhe tjetri deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas burimeve, nuk përjashtohet mundësia që kreu i PS-së të vijë nga fusha e biznesit, dhe të jetë një biznesmen i suksesshëm. Të gjitha propozimet do t’i kalojnë më pas organizatave në bazë për diskutim.
/K.H. portali DurresLajm/