Faik Basha do të jetë rivali i Ilir Metës për te drejtuar Partinë e Lirisë.
Lajmin e ka konfirmuar Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PL, Silva Caka.
Deklarata e Sekretares për marrëdhëniet me publikun në Partinë e Lirisë, zonja Silva Caka
Përshëndetje!
Jemi në këtë komunikim të drejtpërdrejtë, për t’ju njoftuar se pranë Departamentit të Organizimit të Partisë së Lirisë është depozituar sot zyrtarisht kërkesa e anëtarit të Kryesisë së Partisë së Lirisë, njëkohësisht Kryetar i Partisë së Lirisë në Bashkinë e Kamzës, Z. Faik Basha, për të kandiduar për funksionin e Presidentit të Partisë së Lirisë, në Konventën Kombëtare të datës 27 prill 2024.
Z. Faik Basha ka kryer studimet e larta në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” dhe për shumë vite ka kryer me sukses dhe integritet të lartë moral dhe profesional, detyra shumë të rëndësishme në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku ndër të tjera vlen të përmendim:
- Komandant i Kompanisë së Ruajtjes dhe Sigurisë në Batalionin e Xhenios;
- Shef i Regjimit të Brendshëm dhe të Jashtëm në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale;
- Shef Policie në IEVP Peqin; si dhe
- Drejtor i Policisë Bashkiake Kamëz.
Aktualisht, ai është Kreu i Grupit të Këshilltarëve të Partisë së Lirisë, në Këshillin Bashkiak Kamëz.
Duke i uruar Z. Faik Basha shumë suksese në garën për President të Partisë së Lirisë, u jemi të lutur të gjithë anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar që dëshirojnë të kandidojnë në Konventën Kombëtare për postet e: President i Partisë së Lirisë, ZëvendësPresident i Partisë së Lirisë, të paraqesin me shkrim kërkesën e tyre dhe një CV. pranë Departamentit të Organizimit në selinë e Partisë së Lirisë, deri ditën e sotme, ora 23:00.
Po kështu, çdo anëtar i Komitetit Drejtues Kombëtar, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, si dhe çdo ekspert i pavaruar, që dëshiron të paraqesë propozime, amendime apo shtesa në dokumentin e “5 prioriteteve” dhe në Draft-Statutin e Partisë së Lirisë, t’i paraqesë ato me shkrim në adresën e email: [email protected] ose në adresën e email: [email protected] deri ditën e sotme, ora 23:00.