Ndeshjet e javës së 34 të Superligës nuk sollën ndryshime në renditje. Tirana dhe Partizani fituan ndeshjet përkatëse duke ruajtur pozicionet në renditje me bardheblutë kryesues.
Skuadra e Shehit fitoi 3-1 në transfertë ndaj Laçit. Një gol nga Hasani dhe dy nga Hila siguruan suksesin e Tiranës që shkon edhe më pranë titullit kampion.
Partizani priti Vllazninë. Mendohej ndeshje e fortë, por të kuqtë shënuan dy gola të shpejtë në mesin e pjesës së parë.
Egnatia fitoi 3-2 me Erzebin dhe siguron për herë të parë në histori pjesëmarrjen në Europë.
Fitore minimale e Teutës me Kastriotin që i mban durrsakët të qetë në mesin e renditjes.
Bylis-Kukësi u mbyll pa gola, por rezultati i vlen më shumë veriorëve që janë jashtë zonës së ftohtë të renditjes.