Kandidati republikan për president në SHBA, Donald Trump, ka bërë paralajmërime kundrejt Bashkimit Evropian, duke thënë se nëse ai shpallet në zgjedhjet e 5 nëntorit president, BE-ja do të paguajë me çmim të shtrenjtë për mos blerjen e mjaftueshme të mallrave amerikane.

“Do t’ju them diçka, BE-ja tingëllon kaq e bukur, dhe kaq e mirë, apo jo? Të gjitha vendet e bukura të vogla evropiane që punojnë së bashku”, tha Trump në një tubim të fushatës në Pensilvani, pasi u zotua të miratojë “ligjin e tregtisë hakmarrëse të Trump”.

“Ata nuk i pëlqejnë makinat tona. Ata nuk i pëlqejnë produktet tona bujqësore. Ata shesin miliona e miliona makina në SHBA. Jo, jo, jo, do të detyrohen të paguajnë një çmim të shtrenjtë”, theksoi ai.

Ish-presidenti amerikan është zotuar të vendosë tarifa 10% për importet nga të gjitha vendet dhe 60% për importet nga Kina.

Ekonomistët paralajmërojnë se një veprim i tillë do të dëmtonte zinxhirin global të furnizimit dhe ka të ngjarë të shkaktojë taksa hakmarrëse dhe të rrisë kostot.