Gardisti Admir Dervishi, që vrau bashkëshorten një ditë më parë në Tiranë, ka pranuar para hetuesve autorësinë e krimit, por në gjendje të rënduar psikologjike është shprehur i penduar, duke përsëritur frazën: “Nuk doja ta vrisja…”.

Sipas dëshmisë së tij të dhënë polici, duke qenë se po nxitonte për të shkuar në punë, pasi ishte me vonesë, është zënë me gruan për karikuesin e telefonit që ajo nuk po ia gjente. Më pas, në debat e sipër, i ka përmendur emrin e një personi mashkull, duke i thënë se mos ia kishte dhënë atij dhe pas këtij momenti, situata i ka dalë jashtë kontrollit, raporton “Panorama”.

Teksa i bërtiste të shoqes në korridorin e apartamentit dhe ajo nga ana tjetër bënte të njëjtën gjë, për shkak se u ndje e fyer, 29-vjeçari ka nxjerrë nga brezi armën dhe ka qëlluar në drejtim të saj, duke e lënë të vdekur.

“I thashë: ‘Mos ia ke dhënë… filanit karikuesin që nuk po e gjen. Ajo u ndje keq, sepse në fakt kishim debatuar edhe më parë për këtë çështje. Unë thjesht isha xheloz, jo se ajo kishte vërtet diçka me atë person. Ajo ishte bashkëshorte dhe grua shumë e mirë. Por kur ajo m’u hakërrye pas asaj që i thashë, ndoshta edhe me të drejtë, unë dola nga vetja dhe nuk ia fal më vetes atë që kam bërë”, mësohet të ketë thënë gardisti.

Megjithatë, ai ka pretenduar para hetuesve se ka menduar që e shoqja ishte e plagosur dhe herë pas here i ka pyetur për shëndetin e saj, deri sa i kanë konfirmuar se ajo ka vdekur.

(Viktima Ilda Dervishi)