Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ka surprizuar të gjithë duke vazhduar karrierën e tij jo në kontinentin e vjetër, por përtej Atlantikut, në SH.B.A. Futbollisti 27-vjeçar, që nuk po gjente hapësira në radhët e kampionëve të Zvicrës pas ardhjes së trajnerit Fischer, vendosi të luajë në MLS, pavarësisht se kishte zëra se për të po interesoheshin dhe klube të Serisë A si Torino dhe Sampdoria. Largimi nga Baseli dukej thjesht çështje kohe duke qenë se Gashi dëshironte që të mos humbiste mundësinë për të luajtur në Europianin francez.
Gashi kaloi me sukses dhe vizitat mjekësore me klubin amerikan përpara se të hidhte firmën e tij mbi kontratën 4-vjeçare, ndërsa te skuadra e re ai do të mbajë veshur numrin 11.
Në intervistën e tij të parë, Gashi falenderoi klubet e tij të mëparshme, ndërsa theksoi se do të japë maksimumin për skuadrën e tij të re. Zërat për një kalim të mundshëm të tij në SH.B.A. ishin shtuar ditët e fundit pasi lojtari kishte munguar në ndeshjen miqësore të Baselit ndaj Austrisë së Vjenës.
Në Zvicër, sulmuesi i Kombëtares vitin e kaluar u shpall futbollisti më i mirë i kampionatit, ndërsa ka fituar dhe dy herë “Këpucën e Artë” të Raiffeisen Superliga të Zvicrës. Skuadra e tij Colorado Rapids, sezonin e kaluar u rendit në vendin e 10-të të Konferencës së Perëndimit duke mos u kualifikuar dot për në play-off. Është pritur me mjaft entuziazëm nga tifozët e Colorado Rapids por edhe nga shqiptarët e shumtë në Amerikë ardhja e Shkëlzen Gashit.
Kjo pritje i ngjan pak a shumë asaj të Hamdi Salihit kur zgjidhte DC United para katër vitesh.