Ndërhyrjet do të përfshijnë 23 masa prioritare nga të cilat, 17 janë ndërtime infrastrukturore. Disa nga masat më emergjente kanë të bëjnë me restaurimin e "Shkëmbit të Kavajës" si monument natyre, ndërtimin e një ure këmbësorësh, një pistë me elementë hekuri në det, ndërtimin e një shëtitoreje dhe hapësira parkimi

Në një intervistë për “Dyrrah” kreu i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, thotë se kjo zonë këtë vit ka një infrastrukturë më të mirë dhe ofron pushime për turistët elitarë nga vendi dhe jashtë tij. Në të njëjtën kohë Gashi zbardh detajet e projektit për rivitalizimin e zonës që synon të ruajë vlerat natyrore dhe ta zhvillojë në mënyrë të tillë, që të shijohet nga turistët. Projekti pilot i përfunduar, i financuar nga UNDP, do të shërbejë për të rikthyer kapacitetin turistik të vijës bregdetare prej 2.8 kilometrash, e cila është degraduar nga ndërtimet pa kriter.

Zoti Gashi, çfarë ofron për këtë sezon zona e Shkëmbit të Kavajës?

Nëse të gjithë pushuesit do të kishin kuriozitet për të parë nga maja e Shkëmbit të Kavajës të gjithë zonën ashtu siçe patë edhe ju, sigurisht që panorama e tij nuk do të dilte nga mendja e tyre. Megjithatë ne jemi në momentet kur sapo ka nisur sezoni turistik. Zona e Shkëmbit të Kavajës është një zonë atraktive për të gjithë pushuesit, si për ata që dëshirojnë banjo dielli dhe uji, por edhe për turizmin malor. E gjithë zona e plazhit pastrohet në mënyrë permanente, gjatë dimrit dhe verës, pra në të gjithë harkun kohor vjetor. Ne i ftojmë të gjithë pushuesit të vijnë dhe të pushojnë.

Kjo zonë ka një monument emblematik siçështë Shkëmbi i Kavajës. Si mund të vendoset në funksion të turizmit edhe pjesa tjetër përveç bregdetit?

Ne kemi një studim, të miratuar nga KRRTRSH-ja, jo vetëm për pjesën e bregdetit, por edhe për pjesën e sipërme, për zonën e Shkëmbit. Ja vlen të investohet nga sipërmarrësit, të cilët janë të mirëpritur për të investuar në pjesën kodrinore që ka një peisazh, klimë dhe panoramë kaq atraktive. Është një ballkon ku shikon në pëllëmbë të dorës të gjithë bregdetin e Durrësit e Kavajës.

Po për sa i përket infrastrukturës çfarë është bërë gjatë këtij viti, për biznesin turistik dhe pushuesit?

Këtë vit kemi një ndryshim rrënjësor në kuptimin e zgjidhjes së infrastrukturës. Sistemi rrugor është zgjidhur përfundimisht. Po kështu është zgjidhur përfundimisht edhe funizimi me ujë 24 orë i të gjithë zonës, sepse jemi në provat finale, për të vënë në efiçensë të plotë ujësjellësin e ri të Mansurisë. Ndërkaq është investuar edhe në rrjetin energjitik në masë të konsiderueshme. Brenda këtij viti vihet në eficensë sistemi 20 kilovolt në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Këtë investim e ka mirëpritur me padurim komuniteti i biznesit. Kjo zonë është përfshirë në projektin e ndërtimit të kolektorit të ujërave të zeza për zonën bregdetare.

Është një investim i madh prej miliona eurosh nga fondi i projektit të Komunitetit Europian,  që po kryhet në të gjithë vijën bregdetare. Nisi prej zonës turistike të Golemit, ku ka përfunduar tërësisht, ndërsa në  Shkëmbin e Kavajës kanë përfunduar lidhjet dytësore. Ne i kemi kërkuar kompanisë që të mbyllte punimet brenda këtij sezoni. Do të ishte mirë që kompania ta merrte më seriozisht këtë investim, i cili garanton një sezon turistik të suksesshëm. Ky investim i nisur një vit më parë ka si qëllim shmangien e ndotjes që ka vijuar për vite të tëra në Adriatik nga derdhja e ujërave të zeza, nga subjektet private. Kam mësuar që punimet janë në përfundim dhe pritet që të bëhet lidhja në zonën e bllokut dhe si kryetar i komunës do të kërkoja angazhim maksimal në këtë drejtim.



 

 Projekti

Kreu i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, thotë se në fillim të këtij viti   Ministria e Kulturës ka paraqitur projektin për rivitalizimin e zonës bregdetare të Shkëmbit të Kavajës i cili ka përfunduar dhe është në pritje të miratimit nga qeveria. Ndërhyrjet do të përfshijnë 23 masa prioritare nga të cilat, 17 janë ndërtime infrastrukturore. Disa nga masat më emergjente kanë të bëjnë me restaurimin e "Shkëmbit të Kavajës" si monument natyre, ndërtimin e një ure këmbësorësh, një pistë me elementë hekuri në det, ndërtimin e një shëtitoreje dhe hapësira parkimi. “Në këtë projekt që përfshin të gjithë vijën bregdetare të komunës Rrashbull është e rëndësishme të ruajmë vlerat natyrore dhe ta zhvillojmë në mënyrë të tillë, që të shijohet nga turistët”, thotë Gashi. Projekti pilot i përfunduar, i financuar nga UNDP, do të shërbejë për të rikthyer kapacitetin turistik të vijës bregdetare prej 2.8 kilometrash, e cila është degraduar nga ndërtimet pa kriter.



 

Dikur zonë militare, tani ndërtohen hotele

Në periudhën komuniste, zona e Shkëmbit të Kavajës u militarizua. Pak kush e di historinë e këtij Shkëmbi, monument natyre, por të paktë janë edhe ata që flasin për të. Nga maja e tij shfaqet deti dhe i gjithë Durrësi. Jo më kot, që prej lashtësisë është konsideruar si një nyje strategjike, rrugë kalimi midis Lindjes dhe Perëndimit. Poshtë janë shinat e trenit, e mandej rruga automobilistike, e cila lidh Veriun me Jugun e vendit. Brenda “barkut” të Shkëmbit gjenden me dhjetëra tunele, ku deri para viteve ‘90 ishte pozicionuar artilieri e rëndë ushtarake. Tunelet si gojët e hapura të një mali, më së shumti flasin se si kjo zonë dikur e militarizuar, është vënë në funksion të pushuesve të thithjes së turistëve. Këtu ka pasur dhe vazhdon të ekzistojë nje rrjet tunelesh ku ishin pozicionuar topa të fuqishëm te artilerisë dhe transportues të blinduar.

Shkëmbi i Kavajës ka qënë ndër vite një fortifikatë e vertetë natyrore, por që në periudhen e sistemit te kaluar u kthye në një fortifikatë nga më të fuqishmet, në një nga bastionet e mbrojtjes së vendit. Në tunele gjatë asaj periudhe qëndronin në gatishmëri së paku nga artelieria e rëndë 5 topa, dhe mjaft pajisje të tjera luftarake. Shkëmbi i Kavajës është një pikë lidhjeje e veçante e rrugëve që kalojnë nga veriu në jug si dhe nga perëndimi në lindje. Në të kryqëzohen korridori 8 me atë 10. Pranë tij shtrihen linjat detare, hekurudhore dhe automobilistike. Ai ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike e historike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet duke ndjekur rrugën automobilistike Durrës–Plepa – Shkëmbi i Kavajës. Ky Shkëmb bën pjesë tek monumentet natyrore të vendit tonë. Ai ndodhet në afërsi të fshatit Shkallnur, fare pranë bregut të detit. Lartësia e tij shkon deri në 105 metra mbi nivelin e detit. Sipas specialistëve Shkëmbi përbën një gur konglomeratik dhe ranor me moshë miocenike, i modeluar nga era. Është i gjatë deri në 200 m dhe 100 m i gjerë.



 

Shkëmbi, histori dhe legjendë

Me emrin e tij janë të lidhura shumë legjenda dhe ngjarje të rëndësishme historike të të gjitha kohrave. Ai gjendet në rajonin ilir që në kohët e lashta banohej nga taulantët. Në këmbët e tij kalonte rruga e lashtë “Egnatia”, që vinte nga Italia e shkonte në Konstandinopojë për t’u takuar me rrugën e mëndafshit që gjarpëronte drejt Kinës. Në analet historike thuhet se  këtu janë bërë mjaft beteja që prej kohëve më të vjetra. Në të dy anët e Shkëmbit ështe zhvilluar njëra nga betejat më të njohura të lashtësisë, ajo ndërmjet Çezarit dhe Pompeut në Durrës. Strategjitë e përdorura nga Çezari në këtë sheshbeteje janë të njohura si dhe më vonë në disa zona të tjera të Shqipërisë derisa më 9 gusht të vitit 48 p.k., kur u zhvillua beteja finale në Farsalë, ku Cezari me 22.000 veta  dhe një kavaleri 7 herë më të vogël mundi Pompeun që numëronte 47.000 ushtarë. Kjo fitore e ka zanafillën e saj në betejën e Shkëmbit të Kavajës. 

Përballë Shkëmbit të Kavajës ndodhet edhe kodra e Shën Mëhillit, ku  është zhvilluar beteja midis Perandorit të Bizantit, Aleks Komneni dhe Robert Guiskardit, në 18 tetor 1081.