Tiranë, 10 qershor 2014 – Pas një bllokimi prej më se tre vjetësh, duket se edhe në Shqipëri do të gjejë zbatim përdorimi i patentave të makinave me pikë. Ky sistem është mundësuar që në vitin 2011, por një Vendim i Këshillit të Ministrave i vitit të kaluar doli i pazbatueshëm, duke qenë se binte në kundërshtim e dispozitat e Kodit Rrugor në fuqi. Kalimi i patentave në sistemin e ri me pikë nuk do të ketë kosto për qytetarin. Drejtori i Përgjithshëm i ShTRr, Ylli Spahiu bëri të ditur se regjistri kombëtar elektronik është i përfunduar.
Sa i takon lejeve të drejtimit të prudhuara nga viti 2005 e në vazhdim, Spahiu shpjegon se do të jenë po këto leje drejtimi dhe qytetarit nuk do ti duhet të paguajë kosto shtesë, pasi patenta përmban të gjitha elementët e sigurisë që kërkohen. Aktualisht në regjistrin elektronik të këtij institucioni dhe të Policisë Rrugore janë hedhur të dhënat e 740 mijë lejeve drejtimit. Nga ana tjetër, edhe Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë pritet të ndryshojë në kuadër të nismës së Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.
Në nenin 120/1 propozohet të bëhen ndryshime, sipas të cilave “tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga vendimi i komisionit të organit epror të agjentit verifikues”. Sipas këtij ndryshimi, heqja e pikëve të patentave në rast shkeljeje nuk do të jetë më kompetencë e një funksionari të vetëm, por e një komisioni. Ndërsa, pika 2 e këtij neni, ku thuhet se “Në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes në zbatim të kërkesave të pikës 1 të këtij neni, mund të zbriten maksimumi 15 pikë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





