TIRANE- Një projektligj, që liberalizon tregun e gazit natyror në Shqipëri, duke i hequr ekskluzivitetin e transmetimit "Albpetrol", pritet të miratohet në Kuvend, pasi mori "OK" nga Komisionet parlamentare. 

Liberalizimi i këtij tregu vjen kur pritet vendimmarrja për projektin e gazsjellësit TAP, që pritet të transportojë gazin nga Azerbajxhani drejt Europës. 

Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Stavri Dhima, thotë se këto ndryshime ligjore i paraprijnë përgatitjeve infrastrukturore për shtrirjen e tubacioneve të gazit për 2 projekte kryesore që pritet të kalojnë në Shqipëri, TAP dhe JAP (projekti Jonian Adriatik). 

Në rast se projekti Trans Adriatik shpallet fitues për transportimin e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës, në vendin tonë në 2015 nis puna për ndërtimin e tubacioneve. 

Qeveria shqiptare, e përfshirë në negociata intensive me konsorciumin e TAP, është angazhuar të krijojë lehtësitë në zbatimin e projektit, ligjore dhe infrastrukturore.