Finalizohet operacioni policor i koduar “Green” për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve.
Sekuestrohet sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, me peshë 250 gram, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje. Arrestohet në flagrancë poseduesi.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në zonën e Freskut dhe Xhamllikut, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Green”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 28-vjeçarin, duke qarkulluar me automjet, në rrugën “Xhanfize Keko”.
Gjatë kontrollit të mjetit dhe të banesës së 28-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë me peshë 250 gram, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se i arrestuari pasi siguronte lëndën narkotike në sasi, e ndante atë në doza, të cilat i shiste më pas në zonën e Freskut dhe Xhamllikut. Materialet i kaluan Prokurorisë.