Një supervullkan italian, i cili po shkakton shqetësim në nivel ndërkombëtar mund të jetë në prag të shpërthimit të tij të parë që nga viti 1538, kanë paralajmëruar studiuesit.

Vullkani “Campi Flegrei” pranë Napolit, në Italinë jugore, është bërë më i dobët dhe më i prirur për të shpërthyer. I vendosur rreth 14.5 km në perëndim të Napolit, është një nga super vullkanet e pakta aktive në botë.

Problemi me këtë supervullkan është korja e tij, e cila po bëhet gjithnjë e më e dobët, pra e prirur për t’u çarë. Nuk duhet harruar se ka shumë njerëz që jetojnë brenda kalderës apo aty pranë.

Supervullkani mund të shpërthejë, por ngjarja nuk është e garantuar. Thyerja e kores në fakt mund të hapë një çarje, ku magma duhet të shtyhet lart dhe mbi të gjitha në vendin e duhur për të shkaktuar fenomenin katastrofik. Supervullkanet, në fakt, prodhojnë shpërthime të përmasave maksimale (8 në indeksin e eksplozivitetit), me dëbimin e njëkohshëm të një mijë kilometrash kub material.

Shpërthimi më i madh i tij, shkaktoi dëbimin e materialit deri në 285 kilometra kub, pra rreth një e treta e parashikimit dhe me klasifikimin e pashmangshëm në kategorinë 7 për sa i përket eksplozivitetit. Ndër elementët kimikë më të rrezikshëm që do të hidheshin në qarkullim sigurisht që është fluori, i aftë për të vrarë bimët dhe për të shkaktuar sëmundje te kafshët. Gjatë shekullit të 20-të, ky vullkan ka shfaqur shenja agjitacioni dhe zgjimi çdo dhjetë vjet dhe ka një shpjegim shumë specifik për këtë gjëmim që duket se nuk mbaron kurrë.